Në jetën e Margarita Xhepës, figurës legjendare të kinematografisë shqiptare, ka ekzistuar një dashuri e madhe: Xhaviti. Ai gjithashtu aktor, por në Teatrin e Kukullave e megjithatë i bashkoi arti zemrat dhe qeniet e tyre. Në intervistën “Në kurthin e Piter Pan” në Tv Klan,  Margarita Xhepa përkufizon jetën me bashkëshortin e saj dhe raportin e veçantë mes tyre.

Margarita Xhepa: Në radhë të parë ishim artistë të dy, edhe ai ishte artist, edhe unë, na bashkoi arti.  Vija re tek ai njeri që të parën kishte qytetari, kishte fisnikëri sepse vinte nga një familje fisnikësh, nga një familje me emër të mirë. Kjo ka të bëjë shumë sepse fëmijët kryesorja  janë familja, edukata që marrin. Pikërisht mençuria, dëshira për artin na bashkoi. Ai e donte shumë artin, por edhe unë e doja. Të dy punonim, sugjeronim me njëri-tjetrin, ndihmonim njëri-tjetrin. Ka qenë gjë shumë e bukur.

Profesioni i përbashkët ndikonte në mirëkuptimin mes tyre. Pavarësisht roleve, kontakteve me njerëz të tjerë, asnjëri nuk bëhej xheloz për tjetrin sepse e dinin që dashuria e vërtetë ishte ndryshe, pikërisht ajo që mbanin në zemrat e tyre.

Margarita Xhepa: As na ka shkuar ndërmend sepse edhe ai ishte artist, kishte partnerët e vet, edhe unë, në asnjë mënyrë sepse ajo është një truk fundi i fundit në art që bëjmë, kurse dashuria e vërtetë shprehet ndryshe, por truket që përdorim në film dhe role janë tjetër gjë dhe ne e kuptonim mirë njëri-tjetrin.

Kur aktorja ishte 52 vjeçe, Xhaviti u nda nga kjo botë dhe kjo e bëri Margarita Xhepën t’i përkushtohej plotësisht tre djemve, krenarisë së tyre më të madhe.

Margarita Xhepa: Tre djem, njëri më i mirë se tjetri e kjo ka qenë dashuri e madhe sepse bashkë me Xhavitin i kemi rritur këta tre djem dhe më vjen mirë që morën diçka por më tepër kanë marrë nga babai i tyre se sa nga unë, kështu them unë kështu që na u bënë të mirë dhe kjo është krenaria e prindërve. Dolën në jetë për veten e tyre, për neve që na kanë dhënë kënaqësi, por edhe për shoqërinë, për punët që bënin.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *