Shkëlqim dhe Adi Guni, bab e bir nga Kruja punojnë me shumë përkushtim e dashuri qeleshet tradicionale shqiptare, sipas një metode zinxhir të ruajtur me fanatizëm nga familja, duke e trashëguar këtë pasuri brez pas brezi.

Nga e hyrja e dyqanit dëgjohet një zhurmë. Miku ynë krutan që na shoqëron thotë se duhet të zbresim shkallët për të parë atë që ndodh në të vërtetë. Vërdallë vitrinave nuk mund të mos vështrosh gjithë punimet artizanale të qelesheve, papuçeve dhe jo vetëm. Në krye të kasës kryesore transmetohej vazhdimisht një video. Ishte gjyshi i familjes, tabani i vërtetë i përçimit të këtij zanati. Kur zbrisje shkallët fotot e tij të punuar edhe me mjeshtëri si në qëndisje të tërhiqnin vëmendjen. Deri sa, arrijmë të kthejmë kokën djathtas, për të parë se nga buronte puna. Ishte Shkëlqimi dhe Adi Guni. Bab e bir, që prej 20 vitesh punojnë qeleshet në Krujë.

“Mirë se erdhët”, – dëgjohet zëri i Shkëlqimit, teksa me duar vazhdon të punojë. Gjithë vendi duket si një oaz trashëgimie i rrallë. Vegla të ruajtura prej kohës, punimet të reja, dhe metoda tradicionale të mbrojtura me fanatizëm  dhe me shumë përkushtim.

Djali i tij, Adi e ndjek në çdo lëvizje punën. Thotë se e ka mësuar zanatin që kur ishte 14 vjeç. Gjyshi i tij e nxiti që ta dashuronte këtë profesion, ndaj edhe pse i vogël zgjohej herët në mëngjes për të punuar.

“Në 6 të mëngjesit hapnim dyqanin në mes të dimrit. Ishte insistimi i gjyshit, që donte të ma mësonte këtë profesion dhe ia doli. E nisa me procese të vogla. Më është dashur një kohë e gjatë për ta përvetësuar”.

Megjithëse përfundimi është shumë i bukur, rruga e përpunimit dhe sjelljes së trajtës së këtyre produkteve tradicionale nuk është e lehtë.

Në sytë e Shkëlqimit vërehet një lodhje, që e ka shoqëruar prej kohës së gjatë të këtij zanati, që nuk kërkon vetëm fuqi fizike për të punuar, por edhe një përkushtim të jashtëzakonshëm të kohës së gjithsecilit prej tyre që është pjesë e këtij zanati.

“Zanati nuk është vetëm kjo që punohet këtu, vazhdon nga çobani ku qethet delja, atje shkoj ta marr, i numëroj rrodhet një nga një me dorë, e laj, e pastroj, e thaj, e hap me krehër që të krihet në makineri. Kjo është 25 % e punës. Këtu punohet zanati”.

Shkëlqimi dhe Adi ndërkohë që na rrëfejnë historinë e tyre, vazhdojnë njëkohësisht punën. Është thuajse e pamundur të mos i kesh sytë te shpejtësia e lëvizjes së procesit. Ndonjëhërë Shkëlqimi e ndjek me sy punimin e të birit, për të parë se si shkon. Po, për këtë Adi e ka një përgjigje në rast se i ati do të kishte kritika.

“Asnjë nga ne të dy nuk ja ka mësuar zanatin njeri-tjetrin. Ndaj nuk më bërtet dot”- thotë Adi duke buzëqeshur, teksa vijon të na tregojë rrugëtimin se si gjyshi  i tij e bëri pjesë vite më parë.

“E nisa me procese të vogla, fillimisht. Megjithëse, duhet ta pranoj.  Më është dashur një kohë e gjatë për ta përvetësuar”.

Ky pohim na tregon edhe një herë se kjo punë nuk është e thjeshtë. Dhe Shkëlqimi e konfirmon akoma edhe më shumë.

“Kur e sheh si zanat, duket i bukur. Ai që e punon, ja di vështirësinë”.

Punimet e tyre sot tregtohen edhe jashtë vendit. Përpos turizmit të huaj që vjen në Shqipëri dhe ka mundësinë ta shohë edhe nga afër këtë proces e më tej të zgjedhë produktin, përtej kufijve ata thonë se ka një interes edhe për shumë produkte të tjera të kësaj natyre që punohen me dorë.

“Primare në punën tonë kemi qeleshet në gjithë zonat e Shqipërisë, papucet, por kemi realizuar edhe çanta”

Ndonëse lodhja i demoralizon disi, fakti që mbi supi mbartin që trashëgimi kombëtare përbën një motiv të jashtëzakonshëm për të ecur përpara.

“Është 100% punë artizanale. Qeleshja është simbol kombëtar i yni. Kemi pasur fatin ta kemi ne dhe e kemi ruajtur me shumë fanatizëm. Të jep krenari sepse është trashëgimi e familjes dhe trashëgimi kombëtare”

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *