Nga Alba Malltezi

Nuk e di si, kush dhe kur e ruajtën në Vlorë atë që në shumë qytete kryesore të Shqipërisë, nga Veriu në Jug, e shkatërruan dhunshëm: Rregullin!

Vlora, edhe pse e konsideruar ndër qytetet më rebele të Shqipërisë në gjithë tranzicionin tonë të dhimbshëm, sa herë e vizitoj, më shpalos të shtresëzuar në ndërtesat e viteve një rregull për t’u admiruar. Dhe këtë vit, dukej edhe më e sistemuar, edhe më mirë.

Asnjë vlonjat nuk ndërtoi mbi Vlorë përbindësha që i sheh me sy të lirë në Tiranë, në Durrës, në Shkodër, në Korçë, në Sarandë etj. etj. dhe me siguri që biem të gjithë dakord se këta përbindësha urbanistikë nuk janë pak.


Nuk e njoh kodin që kanë përcjellë vit pas viti mes tyre vlonjatët, por ama në rrugica të reja e të vjetra, në pallate të rinj e të vjetër, asnjë vlonjat nuk i ka “futur gishtat në sy” vlonjatit tjetër. Ndjehet një kod respekti i hapësirave qofshin ato të varfëra, mesatare apo luksoze që këtu ka qëndruar i paprekur.


Në Shqipëri gjërat shpeshherë nuk janë si duken apo si thuhen. Nëse për vlonjatët kemi dëgjuar se janë aq krenarë e mendjemëdhenj sa e bëjnë gjoksin gropë, kjo legjendë, nuk është e verifikuar faktikisht në punën që ata bëjnë në qytetin e tyre.

T’i biesh gjoksit sa ta bësh vrimë, do të thotë të kesh një ego mbi të gjithë, përtej të gjithëve, por këtë jo me fjalë, po me vepra e sheh në ndërtesat e çmendura në Tiranë që zënë dritare; rrugicave që u marrin frymën kujtdo që është më i dobët në krahasim me më të fortin a më të pushtetshmin e lagjes.

Ka ndodhur dhe në Durrës e njëjta gjë! Ku individë të çuditshëm, pa atë famën e gjoksit me vrimë, kanë bërë përbindësha mbi rërë si për t’i treguar bashkëqytetarëve se ata janë përmbi qytetin dhe mbi të gjithë. Një rrjetë merimange ndërtesash në Golem e Kavajë janë harta e mëndjemadhësisë së banorëve dhe investuesve të atyre anëve. Apo kulla e rezorte pa asnjë kuptim në Korçë dhe pallate frymëmarrëse si në Sarandë?

Vlonjatët e duan qytetin e tyre dhe kjo dëshmohet pa qenë nevoja për shumë fjalë. E duan aq shumë sa, tani, që e kanë aq të bukur dhe me aq shumë mundësi argëtimi, duhet ta ndajnë me zemërgjerësi, me të huaj apo bashkëatdhetarë, kënaqësinë dhe privilegjin e kësaj mrekullie në Jon.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *