Nga Malvina Tare

Lajme të trishta vrasjesh e dhune në kaq pak njerëz që kanë mbetur akoma në Shqipëri. Po ç’është më e rënda. Tremujorin e parë të këtij viti popullsia regjistroi një shtesë natyrore negative, pra më shumë vdekje se lindje në rang vendi.

Familja shqiptare nuk është më imune, ka rënë pre e vrasjes, e dhunës, e përdhunës. Të gjitha këto e kanë prekur deri në qelizën më të padukshme dhe e torturojnë pareshtur në çdo çast familjen.
Të gjithë e vuajnë çmendurinë e njerit, të gjithë e vuajnë shëndetin e shkatërruar mendor të vetëm një pjestari të familjes.
Por, pse ndodh kjo?

Ne gjykojmë njerëzit, por harrojmë të hapim sytë për të parë rrethanat.
Në Shqipëri nuk ka asnjë institucion që t’i dalë për zot fëmijëve. Qofshin ata të dhunuar apo të abuzuar, askush s’ka informacion se çfarë ndodh brenda familjes shqiptare.
Nëse ti çmendesh dhe dhunon fëmijën tënd, askush nuk të ndalon, nuk të dënon, askush nuk shpëton fëmijën.
Fëmija mbetet i pambrojtur.
E njëjta gjë ndodh me gruan e dhunuar. E njëjta gjë ndodh me familjarë që vuajnë problemet e shëndetit mendor. Dhuna të krijon një gjendje mendore të paqartë, të mjegulluar dhe është shumë e vështirë të gjesh vetë zgjidhjen në fund të saj.

Drama më e madhe është vuajtja e gjithë familjes kur njëri prej pjestarëve të saj është i prekur nga problemet e shëndetit mendor. Dhe nuk do t’ja dijë asnjë për këtë dhimbje e dramë. Aq më pak shteti.
Shteti është i fundit që mendohet për të zgjidhur diçka, e aq më tepër për të shpëtuar familjen.
Njerëzit jetojnë në një shtet që është inekzistent në trajtimin e problemeve sociale që rrjedhin si lumë i ndyrë në të gjithë vendin dhe prekin ngado.
Edhe sa kohë do kalojë kur shteti të organizohet me struktura të veçanta për të mbrojtur familjen nga dhunuesi, nga abuzuesi?
Sa fëmijë do dhunohen apo humbin jetën se vazhdojnë jetën e ferrit me abuzuesit e tyre?
Psikologu është akoma një term luksi në Shqipërinë e marramendjes së jetës boshe. Injoranca që shpërndan dhunë duhet ndalur, me informim, me edukim, me arsim, me mbështetje./doramagazine

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *